Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, e ka uruar sulmuesin e Kombëtares, Vedat Muriqi, për arritjen e tij historike në La Liga me Mallorcan.
Muriqi ka hyrë në histori si golashënuesi më i mirë i klubit në elitën e futbollit spanjoll, duke arritur shifrën prej 55 golash në La Liga dhe duke tejkaluar edhe një emër të madh si Samuel Eto’o.
Ademi, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka vlerësuar lart kontributin dhe rrugëtimin e sulmuesit kosovar, duke theksuar se me punë, përkushtim dhe shpirt luftarak, Muriqi ka lënë gjurmë të rëndësishme në futbollin spanjoll.
Ai e ka quajtur Muriqin një nga përfaqësuesit më të mirë të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe një “ambasador të vërtetë të vendit”, duke theksuar se sukseset e tij janë burim krenarie për futbollin kosovar.