Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance beson se një marrëveshje me Iranin mbetet ende e mundshme, por ka lënë bisedimet në Pakistan pasi i ka paraqitur Teheranit një ofertë përfundimtare.
Sipas një zyrtari amerikan, Vance është larguar nga negociatat i bindur se Irani po e keqkupton shkallën e presionit që SHBA-ja ka në këto bisedime me administratën e presidentit Donald Trump.
Bisedimet kanë zgjatur më shumë se 21 orë dhe janë udhëhequr nga Vance, së bashku me të dërguarin special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, raporton BBC.
Zyrtari amerikan tha se palët nuk kanë arritur marrëveshje për një sërë çështjesh kryesore, përfshirë ndalimin e pasurimit të uraniumit nga Irani, një kornizë për një paqe më të gjerë me aleatët në rajon, si dhe një zgjidhje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit pa vendosjen e tarifave për kalim.
Ndërkohë, Donald Trump deklaroi për Fox News se SHBA-ja ka arritur “pothuajse të gjitha pikat kryesore”, por Irani ka refuzuar të heqë dorë nga ambiciet e tij bërthamore.