Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj ndërmarrjes “Ujësjellësi” për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në infrastrukturën rrugore.
Sipas tij, këto ndërhyrje kanë lënë pas rrugë në gjendje të rënduar dhe të pasigurt për qytetarët.
“Kryeqyteti Prishtina ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj ‘Ujësjellësit’ për shkak të ndërhyrjeve të paautorizuara në infrastrukturën rrugore, të cilat kanë rezultuar me lënien e rrugëve në gjendje të mjerueshme dhe të pasigurt për qytetarët”, ka shkruar Rama.
Ai theksoi se, sipas procedurave në fuqi, çdo ndërhyrje duhet të lajmërohet paraprakisht në komunë për të siguruar zonën e punimeve dhe për të bërë sanimin e menjëhershëm të asfaltit dhe trotuareve pas përfundimit të tyre.
Megjithatë, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme, praktika ka vijuar.
“Megjithëse ujësjellësi është paralajmëruar disa herë për respektimin e këtyre procedurave, praktika ka vazhduar”, ka shtuar ai.
Si pasojë, Inspekcioni i Komunës ka shqiptuar gjoba në dy raste të ndara ndaj kësaj ndërmarrjeje.