Nënkryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, në emisionin FIVE në RTV Dukagjini ka folur rreth fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Ai, duke kritikuar partinë në pushtet, ka thënë se ajo më shumë po funksionon në mënyrë anarkike duke shfrytëzuar krizën, sesa që është e interesuar për zgjedhje.
“Prandaj, po të kishte interesim nuk do të pritej dita e fundit për afatin kur do të propozohej kandidati për president, por meqë kemi të bëjmë me një lojë që po vazhdon edhe më tutje, po shihet se nuk ka vullnet për zgjedhjen e Presidentit”.
Ai tutje ka thënë se nuk ka përpjekje nga Lëvizja Vetëvendosje për zgjidhjen e problemit.
“Partia e parë në pushtet gjithmonë e ka përgjegjësinë më të madhe, për shkak se duhet t’i ftojë partnerët politikë të vendosin për një kandidat i cili do të kishte një personalitet unifikues të qytetarëve, të shprehjes së vullnetit të tyre dhe do të gjendej kompromisi. Mirëpo, vetë fakti që nuk ka një angazhim me liderët politikë, thirren veç e veç, thirren pa rend, thirren në mënyrë selektive, kjo tregon që nuk ka vullnet të mjaftueshëm politik”, ka thënë ai.