Kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit e “Banjskës”

Prokurori Naim Abazi ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit në rastin “Banjska”, duke theksuar se një dënim i tillë është i vetmi që i përgjigjet peshës së krimit dhe duhet të shërbejë si mesazh për të gjithë.

Sipas tij, gjatë procesit gjyqësor janë administruar prova të shumta materiale dhe personale, përfshirë video-incizime, raporte forenzike, analiza të pajisjeve elektronike dhe dëshmi të dëshmitarëve, të cilat, siç tha ai, ndërtojnë një tablo të qartë dhe juridikisht të pakontestueshme.

“Sot gjendemi para fillimit të një procesi gjyqësor me rëndësi të jashtëzakonshme për rendin juridik, sigurinë publike dhe vet shtetin e Republikës së Kosovës. Kjo çështje nuk përbën thjesht një procedurë penale kundër disa individëve, ajo përfaqëson një përballje të drejtpërdrejtë ndërmjet rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe një veprimi të organizuar, të armatosur dhe të qëllimshëm për ta cenuar atë…

Të gjitha këto prova janë siguruar në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe janë shqyrtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe kontradiktore para këtij trupi gjykues. Vërtetësia e këtyre provave ndërton një tablo të qartë, koherente dhe juridikisht të pakontestueshme, sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një rast të një incidenti të izoluar, por kemi të bëjmë me një organizim të mirëfilltë kriminal, me qëllim terrorist dhe me synim të cënimit të rendit kushtetues të sigurisë së Republikës së Kosovës.

Fillimet e këtij organizimi nuk datojnë realisht nga data 24 shtator 2023. Ato dokumentohen qartë që nga takimi i datës 13 tetor 2021 në qytetin e Rashkës në Republikën e Serbisë, ku është kërkuar armatosje, mobilizim dhe përgatitje për rezistencë të armatosur kundër institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Abazi.

Prokurori shtoi se gjatë viteve 2022 dhe 2023 është evidentuar një përshkallëzim i veprimeve kriminale, përfshirë sulme ndaj Policia e Kosovës, gazetarëve, institucioneve zgjedhore dhe KFOR, ku janë plagosur dhjetëra ushtarë.

Sipas tij, këto veprime nuk janë të rastësishme, por pjesë e një strategjie të planifikuar që përfshinte ushtrime taktike me armë, eksploziv dhe mjete të blinduara, si dhe organizim të strukturuar me zinxhir komandues.

“Në fund të vitit 2022, gjatë vitit 2023, evidentohet një përshkallëzim i qartë i veprimeve kriminale që kanë përfshirë sulmet ndaj Policisë së Kosovës, sulmet ndaj gazetarëve dhe institucioneve zgjedhore, vendosjen e barrikadave dhe përdorimin e mjeteve shpërthyese nëpër vend. Gjithashtu si dhe sulmin ndaj KFOR-it ku janë lënduar mbi 90 ushtarë të KFOR-it.

Këto nuk janë ngjarje të ndara apo të rastësishme. Janë realizuar ushtrime taktike me armë, eksploziv dhe mjete të blinduara luftarake. Dhe gjithashtu janë planifikuar në mënyrë të detajuar operacionet për këtë rast”, ka shtuar Abazi.

Duke përshkruar sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjska, në komunën e Zveçanit, prokurori tha se grupi kishte vepruar sipas një plani të detajuar operacional. Fillimisht janë vendosur barrikada, janë pozicionuar njësitë e armatosura dhe më pas është kryer sulmi ndaj policisë me armë të rënda.

“Provat përfshirë harta topografike dhe satelitore nga Google Maps. Po ashtu janë gjetur skica të realizuara përmes dronëve, si dhe dokumentet që parashohin vendosjen e flamujve të Serbisë në pika strategjike në veri të vendit, me qëllim përcjelljen e mesazhit dhe kontrollin dhe prezencën e tyre në atë vend. Gjithashtu është evidentuar një bllanket lidhur me një naftë të furnizuar nga një institucion shtetëror ushtarak i ushtrisë së Republikës së Serbisë që përmban të dhëna personale dhe pozita të zyrtarëve përgjegjës për dorëzimin e tij. Po ashtu është gjetur edhe një listë e detajuar e eksplozivëve me specifikime për llojin, sasinë dhe emërtimin e tyre. Për më tepër është sekuestruar një fletore me emra personash, shënime për ndërrime dhe pozicione të caktuara, si dhe dokumente të identifikimit të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Gjithashtu janë gjetur lista pjesëmarrësish, struktura komanduese dhe dokumente të tjera që dëshmojnë se një organizim i ndërlikuar dhe struktura ushtarake kanë ndodhur, po ndodhin në atë vend”, tha ai.

Si pasojë e këtij sulmi, mbeti i vrarë rreshteri i Policia e Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa disa zyrtarë të tjerë policorë u plagosën dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Prokurori theksoi se sasia e armatimit të konfiskuar, përfshirë armë automatike, mortaja, mina dhe qindra mijëra fishekë, dëshmon se nuk bëhet fjalë për vetëmbrojtje, por për një operacion të mirëfilltë ushtarak.

“Në orët e para të mëngjesit grupi ka vepruar sipas planit operacional. Fillimisht kanë vendosur barrikada me kamion, kanë kryer monitorimin e terrenit, janë pozicionuar njësi të armatosura dhe më pas kanë filluar sulmin e drejtpërdrejtë ndaj institucionit, në këtë rast policisë së Kosovës.

Sulmi është realizuar me armë automatike, raketa hedhës, mjete shpërthyese, pamjet filmike dhe raportet forenzike e bëjnë të pamundur çdo interpretim tjetër. Bëhet fjalë për një sulm të organizuar, të koordinuar dhe të armatosur rëndë.

Pasojat janë të rënda dhe tragjike. Humbja e jetës e zyrtarit policor Afrim Bunjaku në krye të detyrës, plagosja e zyrtarëve të tjerë policorë, rrezikimi serioz i jetës së qytetarëve në atë vend, si dhe dëmet e konsiderueshme materiale. Raporti i autopsisë e konfirmon se vdekja ka ardhur si pasojë e përdorimit të mjeteve shpërthyese duke dëshmuar brutalitetin ekstrem të këtij sulmi. Sasia e armatimit të konfiskuar është tronditëse. Armët automatike dhe numri i madh i tyre, raketa hedhëse, mortaja, mina dhe eksplozivë, qindra mijëra fishekë dhe pajisje ushtarake. Ky arsenal nuk i përket logjikës së vetëmbrojtjes personale, por asaj të operacioneve ushtarake. Dhe kjo gjendje faktike rezulton pa asnjë dyshim se janë përmbushur elementet objektive të veprës penale terrorizmit dhe vepra penale kundër rendit kushtetues të sigurisë së Republikës”, ka thënë Abazi ndër të tjera.

Shija e redaktorit

SHBA kërkon mbylljen e UNMIK-ut: Kosova s’mund të trajtohet si...

Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së për...

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë shënon 18-vjetorin e ngritjes

Më 8 prill 2008, statusi i Misionit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ndryshoi zyrtarisht nga “Zyrë e SHBA-së” në “Ambasadën e SHBA-së në...

Ipeshkvi Dodë Gjergji uron Fitër Bajramin nga BIK-u: Thirrje për...

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Fitër Bajramit, pavarësisht përkatësisë së tyre fetare. Së...

Të fundit nga rubrika