Më shumë se dy vite pas sulmit terrorist në Banjskë, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë arrestuar një tjetër të dyshuar për përfshirje në këtë rast.
Stefan Raduloviq është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të terrorizmit. Me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Sipas dokumenteve të siguruara nga KALLXO.com, Raduloviq dyshohet se ka qenë pjesë e strukturës organizative dhe udhëheqëse të grupit të armatosur që kreu sulmin e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ai përmendet si pjesë e njërit prej grupeve operative në terren. Konkretisht grupit të parë që ishte nën drejtimin e S. A.
Hetimet e Prokurorisë Speciale në bazë të dosjes që ka siguruar KALLXO.com tregojnë se lëvizjet e tij janë gjurmuar në zonat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa prova të rëndësishme janë siguruar edhe nga analizimi i njërit prej telefonave që është ekzaminuar nga autoritetet e sigurisë.
Sipas dosjes së e cila jep edhe vendimin e gjykatës, në komunikimet e zbardhura janë identifikuar diskutime lidhur me përgatitjen e granatave, sigurimin e pajisjeve logjistike, çantave dhe mjeteve të transportit. Po ashtu, nga pajisjet e sekuestruara në vendin e ngjarjes janë zbuluar biseda ku përmenden përgatitje për automjete, jelekë antiplumb dhe koordinim në zona specifike, përfshirë Kopaonikun.
Prokuroria gjithmonë sias dosjes vlerësoi se këto elemente dëshmojnë për një operacion të mirëplanifikuar dhe të organizuar paraprakisht.
Pas arrestimit më 17.04.2026, gjatë intervistimit, Raduloviq dyshohet se ka tentuar të krijojë alibi për periudhën kritike të 23 dhe 24 shtatorit 2023. Megjithatë, sipas dokumenteve të gjykatës, pasi është ballafaquar me provat e mbledhura nga organet e rendit, ai ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.
Prokuroria Speciale ka kërkuar caktimin e paraburgimit, duke theksuar rrezikun e arratisjes, pasi i dyshuari nuk posedonte dokumente të Kosovës, por vetëm të Serbisë. Sipas prokurorisë, ekziston gjithashtu rreziku që ai të ndikojë në bashkëpunëtorët e tij apo të përsërisë veprën penale, duke pasur parasysh se disa nga të dyshuarit në këtë rast vazhdojnë të jenë në arrati.
Në anën tjetër, dosja tregon edhe për fjalën e mbrojtjes së Raduloviqit e cila ka kundërshtuar kërkesën për paraburgim, duke pretenduar se nuk ka prova të mjaftueshme dhe se nuk plotësohen kushtet ligjore për një masë të tillë.
Avokati i tij, Bogdan Laziq ka deklaruar se Raduloviq është banor në Kosovë dhe Serbi, punon në fakultetin teknik në Mitrovicën e Veriut dhe nuk ka qenë në dijeni për zhvillimin e një procedure penale ndaj tij.
“Konsiderojmë se caktimi i masës së paraburgimit nuk është i bazuar në dyshimin e arsyeshëm dhe nuk është bërë individualizimi i duhur, si dhe nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës më të rëndë të paraburgimit. Po ashtu, konsiderojmë se nuk ekziston dyshim i bazuar, duke pasur parasysh se provat e paraqitura, përkatësisht SMS-të telefonike, evidenca e kalimeve administrative kufitare, si dhe fotografia nga telefoni me vetëm emra për të cekurin Stefani Raduloviq, nuk dëshmojnë se bëhet fjalë për të njëjtin person.”- ka thënë avokati që përfaqësoi Raduloviq në seancën për caktimin e masës së sigurisë.
Madje për çështjen e mbrojtjes në heshtje avokati i Raduloviq thotë se në intervistim ka qenë kërkesa e avokatit paraprak që të pushoni sepse ishte lodhur.
Raduloviq ka mohuar përfshirjen në sulmin e Banjskës, duke deklaruar se nuk i njeh personat e përfshirë dhe nuk ka lidhje me grupe kriminale.
”Asnjëherë nuk më ka ra ndërmend të bëj ndonjë sulm terrorist nga arsyeja se jetoj me prindërit dhe jetoj me gjyshen dhe sipas evidencës të cilën e ka cek i mbrojturi im e keni vërejt në mënyrë normale kam dalë dhe kam hyrë në territorin e Kosovës nuk kam pasur pika të caktuara me grupet e caktuara kriminale, asnjëherë nuk jam fotografuar dhe kontribuar në këtë dhe nga të bashkangjiturat e keni parë se nuk konsumoj alkool e as drogë, e as duhan dhe jam një qytetar për shembull me një të kaluar të pastër”- është shprehur Radulloviq.
Sulmi i 24 shtatorit 2023 në Banjskë mbetet një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në Kosovë në vitet e fundit. Në orët e hershme të mëngjesit, një grup i armatosur bllokoi rrugën me kamionë dhe vendosi mjete shpërthyese./Kallxo