Klubi i Vëllaznimit ka reaguar publikisht një ditë pas ngjarjeve të tensionuara në Pejë, ku pati përplasje mes trajnerit, lojtarëve dhe tifozëve të skuadrës gjakovare.
Përmes një deklarate zyrtare, klubi ka zgjedhur një ton pajtues dhe mirënjohës ndaj përkrahësve të tij, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të tifozëve “kuqezi”.
“Faleminderit Gjakovë. Faleminderit kuqezinjve të Jakovës për mbështetjen e jashtëzakonshme. Faleminderit nga zemra për secilin prej jush që ishte i pranishëm dje në Pejë”, thuhet në reagimin e klubit.
Më tej, Vëllaznimi thekson rëndësinë e përkrahjes së tifozëve në momente të vështira, duke e konsideruar atë si shtysë kryesore për të vazhduar përpara.
“Në momentet më të vështira, zëri dhe besimi juaj na japin forcë të vazhdojmë së bashku”, vijon deklarata.
Ngjarjet e ndodhura pas ndeshjes në Pejë, ku pati eskalim të situatës mes skuadrës dhe tifozëve, kanë ngjallur reagime në opinionin sportiv. Megjithatë, me këtë mesazh, klubi duket se synon të ulë tensionet dhe të rikthejë unitetin mes ekipit dhe përkrahësve të tij.
