Avokati Naim Rudari, përfaqësues i të dëmtuarit Alban Rashiti, ka deklaruar se provat e mbledhura gjatë hetimeve për sulmin terrorist në Banjskë dëshmojnë qartë për një planifikim të organizuar që, sipas tij, lidhet me Beogradin.
Duke folur për procesin gjyqësor ndaj tre të akuzuarve, ai theksoi se, ndonëse të pandehurit kanë mohuar përfshirjen në fjalët e tyre përfundimtare, “janë mbledhur shumë prova” nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria që tregojnë rolin e tyre në këtë sulm.
“Tani po finalizohet një punë e mirë që është bërë nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë, ku kanë mbledhur shumë prova… besojmë që është dëshmuar mjaftueshëm se ai ishte planifikuar nga politika shoviniste e Beogradit”, ka deklaruar Rudari.
Ai e cilësoi rastin si të paplotë për shkak të mungesës së të dyshuarve kryesorë, por theksoi se edhe me tre të arrestuarit është arritur të “shpërfaqet një numër i madh provash” dhe të bëhet i dukshëm, sipas tij, plani i grupit.
Rudari shtoi se provat janë siguruar jo vetëm nga automjetet e të dyshuarve, por edhe nga dronët, përfshirë ato të përdorur nga vetë grupi dhe nga Policia e Kosovës.
“Janë gjetur edhe pas përfundimit të operacionit shumë prova që dëshmojnë planet dhe veprimet konkrete të secilit të akuzuar”, tha ai.
Sipas tij, dy nga të akuzuarit janë arrestuar të uniformuar, ndërsa një tjetër, edhe pse në rroba civile, kishte në posedim dëshmi që tregojnë përgatitjen e tij për t’iu bashkuar grupit.
Në përfundim, ai theksoi se, pavarësisht mënyrës si e paraqesin veten të akuzuarit, për institucionet e Kosovës ata janë terroristë.
“Për Republikën e Kosovës ata janë terroristë… me plane për të futur nën kontroll pjesën veriore të Kosovës, madje për ta aneksuar atë pjesë”, u shpreh Rudari.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, pritet që aktgjykimi nga gjykata të shpallet të premten, ndërsa pala e dëmtuar dhe Prokuroria kanë kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit.