Në fshatin Zhabar i Epërm të Mitrovicës dhe në fshatin Banjë të Istogut janë gjetur mjete të dyshuara shpërthyese dhe armë zjarri, duke vënë në lëvizje njësitë policore dhe ato për deminim.
Sipas Policisë, rreth orës 10:05 në Zhabar i Epërm, një dëshmitar ka raportuar se gjatë mbledhjes së metaleve ka hasur në një mjet të dyshuar shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore.
Pas njoftimit, njësitet policore kanë siguruar vendin e ngjarjes dhe kanë vendosur perimetrin e sigurisë, derisa në vend është thirrur edhe njësiti për deminim për trajtimin e mjetit sipas procedurave standarde.
Ndërkohë, rasti tjetër në fshatin Banjë të Istogut është gjetur një granatë dore dhe një pistoletë me një fishek.
Policia ka bërë të ditur se mjeti shpërthyes është tërhequr nga njësiti IEDD i Policisë së Kosovës, ndërsa arma është konfiskuar nga njësiti i forenzikës.