Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në Kosovë homologun e saj nga Turqia, Omer Bolat, në vizitën e tij të parë gjatë këtij mandati.
Kusari-Lila bëri të ditur se është diskutuar zgjerimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, për të përfshirë edhe sektorin e shërbimeve, me synim balancimin e tregtisë mes dy vendeve.
Gjatë takimit, palët folën edhe për thellimin e bashkëpunimit përmes komisionit të përbashkët ekonomik (JETCO), si dhe për mundësitë në teknologji, parqe industriale dhe investime strategjike.
Ajo theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë po forcohen në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë dhe tregtinë.
Sipas saj, shkëmbimet tregtare kanë shënuar rritje, veçanërisht eksportet nga Kosova, por importet mbeten më të larta, duke krijuar deficit tregtar.