Kuvendi i Kosovës deri më tani ka miratuar disa projektligje në seancën e fundit plenare.
Me 64 vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime, është miratuar Projektligji nr.10/L-027 për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”.
Opozita nuk ka marrë pjesë në votimin e këtij projektligj.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar mënyrën e përshpejtimit të procedurave të votimit, duke thënë se sipas saj ligje të tilla mund të rrezikojnë paranë publike dhe parimet e transparencës dhe llogaridhënies.
Ajo ka theksuar se nuk janë kundër ligjit në parim, por kundërshtojnë mënyrën e trajtimit të tij.
“Nga zyra e BE-së u tha se rrezikojnë paranë publike dhe transparencën dhe llogaridhënien, nuk jemi kundër këtij ligjit po nuk mund të trajtohet në formën si po e trajtoni”, ka deklaruar Deliu – Kodra.
Pas vërejtjeve të opozitës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka thënë se Kuvendi përfaqëson vullnetin e qytetarëve, jo Zyra e BE-së.
Bashkimi Evropian kishte shprehur shqetësime në lidhje me Projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Zyra e BE-së në Prishtinë i ka dërguar një letër kryetares së Kuvendit, ku i kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me këtë projektligj.
Në të njëjtën seancë, me 65 vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime, është miratuar edhe Projektligji nr.10/L-025 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim.
Po ashtu, me 68 vota për, pa kundër dhe pa abstenime, është miratuar Projektligji nr.10/L-026 për Shërbimet e Pagesave.
Pa votat e opozitës, miratohet Projektligji për çmimet tavan