Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Marash Kumbulla, mund të përballet me një tjetër periudhë jashtë fushave për shkak të lëndimit.
Sipas raportimeve të mediumit spanjoll “Ultima Hora”, që është pranë klubit të Mallorcas, Kumbulla dyshohet se ka pësuar një dëmtim muskulor pas ndeshjes ndaj Valencias. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për shkallën e lëndimit, por situata mbetet shqetësuese për mbrojtësin shqiptar.
Nëse konfirmohet, ky do të ishte lëndimi i pestë i tij gjatë këtij sezoni. Dy prej tyre e kanë mbajtur për një kohë të gjatë jashtë fushave dhe që të dyja kanë qenë të natyrës muskulore. Lëndimi i parë serioz ndodhi nga shtatori deri në nëntor të vitit të kaluar, për shkak të problemeve me muskujt e kofshës, ndërsa i fundit zgjati rreth dy muaj.
Kumbulla u afrua te Mallorca për të rritur konkurrencën në repartin defensiv, por dëmtimet e shpeshta kanë bërë që roli i tij në skuadër të jetë i kufizuar.
Mbrojtësi shqiptar është i huazuar te Mallorca nga AS Roma, ndërsa mbetet të shihet nëse do të rikthehet shpejt në fushë apo do të mungojë sërish për një periudhë të gjatë.