Spiunja e BIA-s, prokuroria kërkon 25 vjet dënim për Jelena Gjukanoviq

Për vite me radhë në punën e saj 15 vjeçare në OSBE, Jelena Gjukanoviq sipas Prokurorisë Speciale kishte spiunuar tek BIA serbe. Palët, në seancën e sotme kanë paraqitur fjalët përfundimtare, duke e përmbyllur këtë proces gjyqësor. Prokuroria e mbrojtja paraqiten kërkesa të ndryshme drejt trupit gjykues.

25 vjet burgim ka kërkuar Prokuroria Speciale për punonjësen e OSBE-së Jelena Gjukanoviq, e cila akuzohet se barti informacione të ndjeshme e të rëndësishme tek BIA serbe.

Ne seancën e së enjtes palët kanë paraqitur fjalët e tyre përfundimtare. Prokurori special Bekim Kodraliu, tha se e njëjta me veprimet e saj ka rrezikuar sigurinë e institucioneve e vendit, e ka tentuar të deformojë realitetin në dëm të Kosovës.

“Nga provat e administruara rezulton qartë se e pandehura në cilësinë e zyrtares së misionit të OSBE-së në Kosovë ka keqpërdorur në mënyre të qëllimshme dhe të vazhdueshme pozitën e saj zyrtare duke u angazhuar aktivisht në mbledhjen, përpunimin dhe transmetimin e informacioneve të ndjeshme tek shërbimi inteligjent i huaj tek BIA”, ka thënë Kodraliu.

Prokurori disa herë ka përmendur tashmë të dënuarin për spiunazh Aleksandër Vllaiq, e me të cilin Gjukanoviq vazhdimisht kishte pasur komunikime.

“Në këtë rast penal, nuk kemi të bëjmë me një veprim të izoluar apo të rastësishëm. Përkundrazi, provat dëshmojnë një veprimtari të organizuar, të qëllimshme dhe të vazhdueshme, e cila shtrihet në një periudhë disa vjeçare”, ka shtuar Kodraliu.

Ndërkohë, vendim të kundërt nga prokuroria kanë kërkuar mbrojtja e Gjukanoviqit.

“Jelena Gjukanoviq nuk mund të gjykohet për shkak të historisë, raporteve të dy shteteve apo aktgjykimeve të të tjerëve, ajo mund të gjykohet vetëm në bazë të provave. Ky proces nuk ka dëshmitarë, nuk ka pranim fajësie nuk ka prova të drejtpërdrejta që ka vepruar në bazë të urdhrit të shërbimit të caktuar”, ka thënë avokati, Predrag Miljkoviq.

Pas përmbylljes së kësaj çështje gjyqësore, javën e ardhshme trupi gjykues do shpallë aktgjykimin. Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me pesë vjet burgim, Aleksandar Vllajiqin pasi ai ka pranuar fajësinë, për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit në Serbi, BIA.

Të fundit nga rubrika