Presidenti iranian refuzon bisedimet nën presionin e Washingtonit

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Teherani nuk do të hyjë në “negociata të detyruara” me Shtetet e Bashkuara, përderisa po përballen me presion dhe kërcënime.

Në një bisedë telefonike me kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif, Pezeshkian tha se veprimet e vazhdueshme të SHBA-së po minojnë besimin dhe po e vështirësojnë çdo rrugë drejt dialogut, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.

Ai shtoi se përparimi do të mbetet i vështirë, përveç nëse ndalen “veprimet armiqësore dhe presionet operative” nga Washingtoni.

Pezeshkian theksoi se Washingtoni duhet së pari të heqë “pengesat operative, përfshirë bllokadën” e anijeve që lëvizin drejt dhe nga portet iraniane, në mënyrë që të krijohen kushtet për zgjidhjen e çështjeve.

Sharif e siguroi Pezeshkianin se Islamabadi “do të vazhdojë përpjekjet e sinqerta dhe të ndershme për të promovuar paqen dhe sigurinë rajonale”, sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit të Pakistanit.

Në një postim në platformën X, Sharif shprehu vlerësimin për vendimin e Iranit për të dërguar një delegacion të nivelit të lartë, të udhëhequr nga ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, në Islamabad për bisedime që synojnë përfundimin e luftës.

Delegacioni iranian u largua nga Islamabadi të shtunën dhe mbërriti në Muskat, Oman, për bisedime të mëtejshme rajonale.

Ndërkaq, i dërguari special amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, pritej të udhëtonin drejt Islamabadit të shtunën, por presidenti amerikan Donald Trump e anuloi udhëtimin e tyre në momentin e fundit.

Të fundit nga rubrika