Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka dërguar një ekip në Gaza për të realizuar rikonicionin e zonës ku pritet të operojë kontingjenti i saj në kuadër të misionit paqeruajtës si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, i cili ka autorizuar ekipin për të kryer vlerësimin paraprak dhe për të koordinuar aktivitetet e dislokimit të trupave, njofton Dukagjini.
Siç bëhet e ditur nga FSK-ja, gjatë kësaj vizite ekipi do të bëjë vlerësimin paraprak dhe koordinimin e aktivititeteve të dislokimit për kontigjentin e FSK-së, që do të operojë në kuadër të misionit paqeruajtës të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza.
“Gjatë kësaj vizite, delegacioni ka zhvilluar një sërë takimesh dhe diskutimesh me autoritete nacionale për administrimin e Gazës dhe ekipet përkatëse, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), e cila operon nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së. Gjatë këtyre takimeve është diskutuar rreth procesit të integrimit të kontingjentit të FSK-së, zhvillimit të operacioneve të përbashkëta, si dhe koordinimit të mbështetjes logjistike” thuhet në njoftim.
Kujtojmë se deputetët e Kuvendit të Kosovës, më 17 prill, miratuan kërkesën e Qeverisë që FSK-ja të marrë pjesë në operacion paqeruajtës ndërkaq tre ditë më vonë, më 20 prill, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.
Por, kjo nuk është hera e parë që FSK-ja dislokohet jashtë vendit. Më 2021, ajo mori pjesë në një mision në Kuvajt në bashkëpunim me forcat amerikane, ndërsa më 2022 në Ishujt Falkland, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.
Përveç misioneve jashtë vendit, FSK-ja ka marrë pjesë edhe në operacione të kërkim-shpëtimit dhe misione të tjera me karakter humanitar.
