Një person ka humbur jetën sot në fshatin Meqë të Gjakovës, pasi mbeti i bllokuar nën një kamion gjatë një aksidenti në vendin e punës.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 09:55, kur një kamion ka rrëshqitur pasi shoferi dyshohet se ka humbur kontrollin.
Zyrtarja për Informim në Polici për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka bërë të ditur se si pasojë e lëvizjes së mjetit, një punëtor i cili ndodhej në afërsi të kamionit, ka mbetur i bllokuar nën të.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë relevante të Policisë, zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë, të cilët kanë intervenuar për nxjerrjen e viktimës.
“Sot, rreth orës 09:55, kemi pranuar informatën për një incident në fshatin Meqë. Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se gjatë procesit të punës, shoferi i një mjeti transportues (kamion) ka humbur kontrollin mbi mjetin, me ç’rast kamioni ka rrëshqitur. Si pasojë e kësaj lëvizjeje, një punëtor (mashkull i moshës madhore) i cili ndodhej në afërsi të mjetit, ka mbetur i bllokuar nën të. Në vendngjarje kanë dalë menjëherë njësitë relevante të Policisë, ekipi i zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë. Pas intervenimit, mjeku përgjegjës ka konstatuar se personi i zënë nën mjet ka ndërruar jetë”, ka njoftuar Krasniqi.
Autoritetet bëjnë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.