Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet M.N., nën dyshimin për veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”.
Sipas Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 18 mars 2026, rreth orës 15:00, në fshatin Drelaj të Rugovës, ku i dyshuari kishte tentuar të transportojë disa shtetas sudanezë drejt kufirit me Malin e Zi, me qëllim përfitimi financiar.
Fillimisht, ai ishte takuar me migrantët në Stacionin e Autobusëve në Pejë, ku kishin arritur marrëveshje për transportin deri afër kufirit, në këmbim të pagesës.
Megjithatë, gjatë rrugës, automjeti i tij është ndaluar nga Policia Kufitare. Pas kontrollit, migrantët janë identifikuar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe vetura e tij është sekuestruar.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.