Bashkëpunimi me PDK-në përplas Përparim Ramën dhe LDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mohuar se ajo ka marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në në Prishtinë. Ajo ka thënë se strukturat e saj partiake nuk kanë marrë pjesë në asnjë marrëveshjeje. Por, në mënyrë të kundërt ka vepruar kryetari i komunës, Përparim Rama. Ai ka thënë se ka nisur bashkëpunimin me PDK-në, e madje si zëvendëse të tij ka emëruar një zyrtare saj.  

Ujdinë për bashkëpunim që e kishte propozuar pas fitores në kryeqytet, u jetësua tek tash.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama të martën nisi emërimin e drejtorëve nga koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës.

Si numër dy të komunës e emëroi, Besian Musmuratin, e cila në marrëveshjen e 2021-tës ishte drejtoreshë e arsimit.

Kësisoj, Rama konfirmoi se koalicioni është finalizuar por pa u deklaruar për media.

Këto lëvizje, Rama i bëri vetëm pak minuta pasi LDK-ja, nën logon e së cilës garoi në zgjedhje, tha se partia nuk ka marrëveshje për bashkëqeverisje me PDK-në.

“LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse. Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj”.

Ndërkohë gjatë ditës, nuk u deklarua më gjerësisht eprori i Ramës, Lumir Abdixhiku.

“Më vonë e kemi atë, më vonë”, ka thënë Abdixhiku.

E, bashkëpunëtorja e kryetarit, Jehona Lushaku tha se kjo është çështje e nivelit lokal.

“Ju e keni pa deklaratën zyrtare ajo është çështje komunale është çështje edhe kryetari Rama se si i udhëheqë kualicionet ndërkohë që deklarimet që ka marrëveshje mes partive politike nuk qëndrojnë”, ka thënë Jehona Lushaku, anëtare e Kryesisë së LDK-së.

Zyrtarë të PDK-së kanë qenë të paqasshëm gjatë ditës për të marrë një qëndrim, por siç merr vesh Dukagjini, kjo parti të udhëheqë me gjashtë drejtori të kryeqytetit.

E, kritik ndaj dy partive që udhëhoqën Prishtinën për gati dy vite është shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla.

“Ne jemi dëshmitar që z.Ismaili e ka kritikuar më së shumti z, Rama për keq qeverisje dhe për një moment i harroj të gjitha ato dhe u bë bashkë më të, kjo ndodh për faktin se ky koalicion është kulicion i interesave të ngushta, nuk është kualicion i parimeve”, ka thënë Sveçla.

Sveçla tha se Abdixhiku duhet të distancohet edhe nga asamblistët që votojnë pro PDK-së në Kuvendin Komunal.

Në fillim të këtij viti, kryetari Rama kishte paralajmëruar koalicion të gjerë për të shtyrë proceset përpara në komunë.

 

Të fundit nga rubrika