Avokati i Popullit i shkruan letër SHBA-së dhe shteteve financuese për Dhomat e Specializuara

Pamje nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, foto Reuters.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, u ka dërguar një letër shteteve financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, nëpërmjet së cilës ua ka përcjellë edhe raportin “Vlerësimi paraprak i Dhomave të Specializuara të Kosovës” dhe ka paraqitur shqetësimet e tij, të bazuara në gjetjet e këtij raporti.

Kjo letër, e përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike, i është dërguar Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Marco Rubio, si dhe Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së. Letra informuese u është dërguar ministrave të punëve të jashtme të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë. Raporti u është dërguar Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian, Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, Sekretare e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Alain Berset, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, dhe Michael O’Flaherty, Komisionar për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës.

Në këtë letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimet lidhur me garancitë për një gjykim të drejtë gjatë procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës, të identifikuara nga organizata “Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC) – Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit.

Avokati i Popullit i ka informuar ata se Institucioni i Avokatit të Popullit ka monitoruar vazhdimisht përputhshmërinë me të drejtat themelore në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), si dhe kushtet e të paraburgosurve. Ai thekson në letër se, si pjesë e këtyre përpjekjeve, ka angazhuar organizatën BHRC për të kryer një vlerësim paraprak të pavarur, si rezultat i shqetësimeve të tij serioze dhe të vazhdueshme lidhur me respektimin e të drejtave themelore në kuadër të procedurave gjyqësore në DhSK.

Raporti në fjalë ka identifikuar shqetësime serioze lidhur me mbrojtjen e garancive themelore procedurale që u ofrohen të akuzuarve, e në veçanti, me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm. Këto parime përbëjnë garanci themelore në kuadër të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Në këtë letër u nënvizua se e drejta për një gjykim të drejtë është e përcaktuar në nenin 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të dyja të zbatueshme drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës nëpërmjet Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këto dispozita garantojnë, ndër të tjera, të drejtën e çdo individi për një seancë të drejtë dhe publike para një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të krijuar me ligj; prezumimin e pafajësisë; kohë dhe lehtësi të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes; barazinë e armëve ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes; si dhe transparencën në procedurat gjyqësore.

Këto standarde të njohura ndërkombëtarisht përbëjnë mbrojtje thelbësore për të siguruar legjitimitetin dhe besueshmërinë e procedurave penale të zhvilluara në kuadër të mekanizmave gjyqësorë ndërkombëtarë ose hibridë, thuhet në letër.

Avokati i Popullit thekson rëndësinë e sigurimit që praktikat dhe procedurat e gjykatës të vazhdojnë t’u përmbahen plotësisht standardeve më të larta ndërkombëtare të drejtësisë, transparencës dhe pavarësisë gjyqësore. Ai shtoi se adresimi i shqetësimeve të identifikuara në raport është thelbësor jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave procedurale të të akuzuarve, por edhe për ruajtjen e besueshmërisë dhe integritetit të procesit gjyqësor.

Avokati i Popullit ka rikujtuar në letër se Republika e Kosovës ka demonstruar vazhdimisht angazhimin e saj ndaj parimeve të drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit. Më tutje, theksohet se Republika e Kosovës ka përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare duke themeluar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të legjislacionit zbatues nga institucionet e saj demokratike. Avokati i Popullit nënvizon gatishmërinë e qartë dhe të pakontestueshme të Kosovës për të kontribuar në mekanizmat ndërkombëtarë të llogaridhënies dhe për të mbështetur standardet më të larta të drejtësisë.

Në këtë letër, Avokati i Popullit po ashtu thekson se përfaqësuesit e lartë politikë të Kosovës janë dorëzuar vullnetarisht në juridiksionin e Gjykatës për t’u përballur me akuzat e ngritura kundër tyre. Ai shtoi se një sjellje e tillë tregon një angazhim të fortë institucional nga Republika e Kosovës dhe udhëheqja e saj politike ndaj parimeve të llogaridhënies, bashkëpunimit gjyqësor dhe respektimit të proceseve ligjore ndërkombëtare./EO

Shija e redaktorit

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Shtëpia botuese “Dukagjini” sjell në gjuhën shqipe 16 libra të...

Secila një histori ndryshe nga tjetra. Të gjashtëmbëdhjetë libra nga krijimtaria e nobelistit gjermano-zviceran, Hermann Hesse, në gjuhën shqipe i gjeni në Librarinë “Dukagjini”. Promovimi i...

Të fundit nga rubrika