Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se akademiku i ndjerë Rexhep Qosja është dekoruar pas vdekjes me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës”.
Qosja ndërroi jetë më 23 prill të këtij viti në moshën 89-vjeçare.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka theksuar se ky titull përbën një akt mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tij në shërbim të dijes, lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
“Me nderim të thellë, e kam dekoruar pas vdekjes akademik Rexhep Qosjen me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës”. Rexhep Qosja ishte një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë, shkencës dhe mendimit shqiptar. Me veprën e tij të gjerë, me qëndrimin e tij publik dhe me përkushtimin ndaj çështjeve të mëdha të kombit, ai la gjurmë të thella në kulturën shqiptare dhe në vetëdijen tonë kombëtare. Ky titull është shenjë mirënjohjeje për një jetë të tërë në shërbim të dijes, lirisë dhe dinjitetit kombëtar. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.