Avokati Arber Jashari ka deklaruar se në skenën politike të Kosovës nuk ka më zhvillime që mund të konsiderohen befasuese, duke komentuar mundësinë e rikthimit të Fatmir Limajt në PDK dhe të Vjosa Osmanit në LDK.
Sipas tij, ekziston një frymë dhe gatishmëri që Limaj të rikthehet në Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa një lëvizje e tillë do ta fuqizonte partinë dhe do t’i jepte një dimension të ri politik.
“Në skenën politike të Kosovës nuk mund të ndodhë diçka që mund të na çuditë, sepse i kemi provuar të gjitha. Nuk është diçka e çuditshme as rikthimi e as pranimi i Fatmir Limajt në PDK. Ekziston një shpresë dhe frymë që ai të rikthehet në Partinë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Jashari në emisionin “Five” të Dukagjinit.
Ai theksoi se rikthimi i Limajt do ta bënte PDK-në më konkurruese në zgjedhje, sidomos në garën për vendin e dytë.
“Kthimi i Limajt në PDK e fuqizon partinë dhe i jep një shtysë, një dimension dhe kahje të re. Kjo e bën PDK-në garuese serioze për vendin e dytë”, tha ai.
Jashari komentoi edhe mundësinë e rikthimit të Vjosa Osmanit në LDK, duke thënë se një zhvillim i tillë do ta fuste këtë parti fuqishëm në zgjedhje. Megjithatë, ai shtoi se për shkak të profilit politik të Osmanit dhe raporteve të saj me ndërkombëtarët, LDK-ja nuk do ta konsideronte sukses një rezultat nën 23-24 për qind.
“Rikthimi i Vjosa Osmanit në LDK do ta fuste partinë fuqishëm në këto zgjedhje për vendin e dytë. Por, duke parë prapavijën dhe diskursin e saj politik, si dhe raportet me ndërkombëtarët, nuk do të ishte fitore për LDK-në nëse nuk arrin 23-24 për qind”, u shpreh ai.
Jashari shtoi se kundërshtimet ndaj rikthimit të Fatmir Limajt në PDK nuk lidhen domosdoshmërisht me interesin e partisë, por më shumë me interesa personale të individëve të caktuar brenda saj.
“Disa nuk e kanë hallin e partisë, por atë personal, sepse e shohin Limajn si rrezik potencial për qëllimet e tyre karrieriste dhe për egot e tyre politike”, deklaroi ai.
Sipas Jasharit, Limaj mbetet një figurë me peshë në historinë e PDK-së dhe në skenën politike të Kosovës, për shkak të rolit të tij në luftë dhe lidhjes me themeluesit e partisë.
“Dihet se Fatmir Limaj ka histori që ndërlidhet me luftën dhe me themeluesit e PDK-së. Ai njihet edhe si një ministër i suksesshëm i PDK-së në kohën e tij”, tha Jashari.
Ai vlerësoi se rikthimi i Limajt mund të ndryshojë balancat brenda partisë dhe të zgjojë entuziazëm te një pjesë e elektoratit tradicional të PDK-së.
“Ai mund të lërë në hije shumë figura të tjera dhe mund të ngjallë entuziazëm te një elektorat nostalgjik”, përfundoi Jashari.