Trump mbërrin në Kinë për takim me Xi Jinping

Presidenti amerikan Donald Trump ka zbritur nga Air Force One në Pekin të mërkurën mbrëma, ku është pritur me ceremoni zyrtare para takimit të tij të nivelit të lartë me presidentin kinez Xi Jinping.

Gjatë vizitës dyditore, dy superfuqitë pritet të diskutojnë për tarifat tregtare, konkurrencën në teknologji, luftën në Iran si dhe marrëdhëniet e SHBA-së me Tajvanin.

Trump po kthehet në Kinë në një klimë më të ashpër politike krahasuar me vizitën e tij të fundit në vitin 2017, ndërsa përballet edhe me kritika në rritje për fushatën ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme, raporton BBC.

Fillimisht, vizita ishte planifikuar për muajin mars, por u shty për shkak të luftës mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, e cila ka ndikuar edhe në ekonominë globale.

Në momentin e mbërritjes, Trump u prit nga zëvendëspresidenti i Kinës, Han Zheng, një nga figurat më të larta të shtetit kinez. Sipas vlerësimeve diplomatike, ky nivel pritjeje shihet si shenjë respekti nga Pekini, ndryshe nga vizitat e mëparshme kur Trump ishte pritur nga zyrtarë më të ulët.

Në ceremoninë e pritjes u panë edhe figura të njohura të biznesit amerikan, përfshirë Elon Musk dhe Jensen Huang të Nvidia-s, si dhe djali i presidentit, Eric Trump.

Në një postim para mbërritjes, Trump deklaroi se kërkesa e tij e parë ndaj Xi Jinping do të jetë hapja e mëtejshme e tregut kinez për kompanitë amerikane.

“Do t’i kërkoj Presidentit Xi, një lider me përvojë të jashtëzakonshme, të ‘hapë’ Kinën, në mënyrë që këta njerëz të talentuar të bëjnë mrekulli dhe ta çojnë Republikën Popullore në një nivel edhe më të lartë”, ka shkruar Trump.

Në qendër të bisedimeve pritet të jetë edhe lufta në Iran. Kina ka lidhje të forta ekonomike me Teheranin dhe është një nga blerëset kryesore të naftës iraniane, ndërsa tensionet në Ngushticën e Hormuzit kanë ndikuar në furnizimet globale të energjisë.

Pekini po përballet gjithashtu me presion nga Uashingtoni për të përdorur ndikimin e tij ndaj Iranit për uljen e tensioneve.

Një tjetër temë e ndjeshme mbetet Tajvani, ku SHBA ka mbajtur një qasje të përzier: nga njëra anë ka miratuar marrëveshje të mëdha armësh, ndërsa nga ana tjetër ka shmangur deklarata të forta për mbrojtjen e ishullit nga Kina.

Sa i përket tregtisë, Trump pritet të kërkojë rritjen e blerjeve kineze të produkteve bujqësore amerikane, ndërsa Pekini synon uljen e tarifave doganore ndaj mallrave kineze në SHBA.

Shija e redaktorit

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Reporterët pa Kufij: Kosova shënon përparim në lirinë e medias

Kosova ka shënuar përparim në lirinë e medias, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në vendin...

Akademia “Dukagjini” përmbyllë nismën “Praktika të suksesshme në mësimdhënie dhe...

“Praktika të suksesshme në Mësimdhënie dhe Nxënie”, është nisma e cila nisi pesë muaj më parë e që sot po shndërrohet në një manifestim...

Të fundit nga rubrika