Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, ka folur për të ardhmen e tij, duke bërë të ditur se nuk do të vazhdojë te Sasuolo pas përfundimit të huazimit nga Ipswich Town.
Në një prononcim për GianlucaDiMarzio.com, gardiani kosovar ka treguar se vendimi i tij lidhet me arsye personale.
“S’e kam ndërmend të luaj për Sasuolon sezonin e ardhshëm. Me përfundimin e huazimit tim, koha ime këtu ka mbaruar. E kam informuar klubin se nuk dua të qëndroj këtu pas këtij sezoni për arsye personale”, ka thënë ai.
Muriq iu bashkua klubit italian në verën e vitit 2025 në formë huazimi, me opsion blerjeje rreth 10 milionë euro.
Gjatë këtij sezoni, 27-vjeçari ka qenë titullar i rregullt, duke zhvilluar 32 ndeshje dhe duke mbajtur portën e paprekur në gjashtë prej tyre.
Pavarësisht largimit nga Sassuolo, Muriq mbetet nën kontratë me Ipswichin deri në verën e vitit 2028.