Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar pas sulmit ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani, duke bërë të ditur se e ka vizituar atë në Spitalin e Mitrovicës.
Përmes një postimi në Facebook, Dugolli tha se personeli mjekësor po kujdeset për gjendjen shëndetësore të Mehanit, ndërsa shprehu mirënjohje për profesionalizmin e treguar nga stafi i spitalit.
Ai akuzoi kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun dhe njerëzit pranë tij për përdorim të “metodave banditeske”, duke thënë se sulmet fizike, presionet dhe kërcënimet nuk do ta ndalin as Hysni Mehanin dhe as Lëvizjen Vetëvendosje.
“Dhuna është arma e atyre që nuk kanë argumente politike dhe që përpiqen të mbjellin frikë te qytetarët dhe aktivistët politik përmes sulmeve fizike, kërcënimeve dhe presionit. E dënojmë fuqishëm dhunën, kërcënimet dhe sulmet fizike si instrument të frikësimit politik. Askush nuk mund ta ndalë vullnetin qytetar për ndryshim me dhunë, presion apo banda politike”, ka shkruar ai.
Dugolli gjithashtu i bëri thirrje Partisë Demokratike të Kosovës që ta dënojë qartë dhe pa hezitim sulmin ndaj Mehanit.