Hulumtuesi i jashtëm i Institutit ‘’Octopus’’, Gurakuç Kuçi ka vlerësuar se Bashkimi Evropian (BE) dhe NATO po hyjnë në një fazë të re të mobilizimit strategjik përballë rrezikut të mundshëm rus në periudhën 2027–2029, përmes projektit të ashtuquajtur “Schengeni Ushtarak”.
Në një analizë të publikuar, Kuçi thekson se një nga dobësitë kryesore të Evropës në rast konflikti nuk lidhet vetëm me kapacitetet ushtarake, por edhe me burokracinë dhe mungesën e infrastrukturës së përshtatshme për lëvizjen e shpejtë të forcave të NATO-s.
“Imagjinoni këtë skenar: Një kolonë tankesh që niset nga Gjermania për të mbrojtur Estoninë bllokohet në kufi për 45 ditë duke pritur lejet doganore”, shkruan ai, duke e cilësuar këtë si një realitet që BE-ja tashmë po përpiqet ta ndryshojë.
Sipas Kuçit, paketa e re evropiane për lëvizshmërinë ushtarake dhe transformimin industrial mbështetet në katër shtylla kryesore: krijimin e korridoreve të shpejta për lëvizjen e trupave, modernizimin e infrastrukturës duale civile-ushtarake, sinkronizimin transatlantik me NATO-n dhe investimet në teknologji të avancuara si inteligjenca artificiale, dronët dhe siguria kibernetike.
Ai thekson se ky projekt është një reagim i drejtpërdrejtë ndaj vlerësimeve të fundit të inteligjencës perëndimore, të cilat kanë afruar afatet e rrezikut nga Rusia.
“Parashikohet që Rusia mund të ketë kapacitetin ushtarak për të sfiduar NATO-n mes viteve 2027 dhe 2029”, thuhet në analizën e tij.
Kuçi paralajmëron gjithashtu për skenarin e një sulmi të shpejtë territorial ndaj vendeve baltike, me qëllim testimin e Nenit 5 të NATO-s, duke argumentuar se çdo vonesë burokratike mund të minojë vetë funksionalitetin e aleancës.
Në analizën e tij, ai ndalet edhe te implikimet për Ballkanin Perëndimor, duke thënë se logjika e “Schengenit Ushtarak” nuk duhet të kufizohet vetëm brenda BE-së.
Sipas tij, rajoni mbetet një hapësirë e ndjeshme ndaj ndikimit rus dhe strategjive hibride të Serbisë, ndërsa vendet e NATO-s në juglindje të Evropës, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, duhet të koordinojnë kapacitetet logjistike për dislokimin e shpejtë të forcave aleate.
“Lufta në Ukrainë e dëshmoi prerë se logjistika është po aq e rëndësishme sa vetë armët. Pa lëvizshmëri të shpejtë, sovraniteti mbetet thjesht një iluzion në letër”, përfundon Kuçi në analizën e tij.