Uran Ismaili, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka sfiduar kryeministrin Albin Kurti që të përballet në debat publik me kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
“E mira kish me qenë që mos me u frikësu Albin Kurti me dal në debat me Bedri Hamzën. Le të del në debat, le të përballet. Mos të mbyllet pas deputetëve të vet, që i rrahin shuplakë pa marrë parasysh çka flet ai”, deklaroi Ismaili.
Ai tha se pas rikthimit në Kuvendin e Kosovës, pas katër vitesh nga dorëheqja e tij për garën në Prishtinë, ka parë mungesë të demokracisë në institucion.
“E kam parë Kuvendin e Kosovës pasi jam kthyer pas katër viteve pas dorëheqjes nga gara për Prishtinën. Aty veç demokraci nuk ka. I njëjti mentalitet tani tentohet të bartet në shoqëri”, u shpreh ai.
Sipas Ismailit, Kurti po tenton të kontrollojë çdo pozicion institucional dhe duhet të dëshmojë vetëbesimin e tij përmes debatit publik.
“Nëse ka vetëbesim dhe e din që është i gatshëm me u përball me gjithkanë, ai duhet me dal në debat. Ky po don me ndrru. Po thotë jam më i fortë. Po thotë këta janë më të gjorë e më të mjerë. Dil me atë të gjorë e të mjerë dhe provoje vetveten”, tha Ismaili.
Ai shtoi se zgjedhjet e 7 qershorit do të tregojnë nëse pushteti aktual do ta ketë të njëjtin avantazh politik si më parë.
Në fund, Ismaili tha se PDK ka përgjegjësi për ta ndalur, siç e quajti ai, mentalitetin politik aktual.
“Detyra e parë e PDK-së është me u mobilizu, me kuptu që e kemi detyrë e përgjegjësi të madhe si Parti Demokratike e Kosovës. Roli i PDK-së është me ndal këtë mendësi, me ndal një person ku 51.1 për qind nuk i dalin boll”, përfundoi ai.
Ismaili ka kritikuar edhe qasjen e kryeministrit Albin Kurti dhe paraqitjet e tij gjatë fushatës, duke thënë se ai po merret vazhdimisht me opozitën në vend se të flasë për punën e qeverisë.
“Nuk kam parë kryeministër që gjithë kohën flet për opozitën. Ai nuk flet për projektet e veta, nuk flet për buxhetin, angazhimin e vet dhe prioritetet e veta. A flet për arsimin, shëndetësinë, ekonominë apo çmimet e rritura? Për asgjë. Konsumon dhe prodhon inat”, deklaroi Ismaili.
Sipas tij, dallimi mes PDK-së dhe Kurtit qëndron në mënyrën e të bërit politikë dhe në qasjen ndaj qytetarëve.
“Këtu është dallimi ynë. Dëshira jonë është me ndal një person të tillë. PDK angazhohet për një jetë më të mirë për qytetarin, por në anën tjetër edhe me e shpëtu vendin prej një mentaliteti të tillë”, tha ai.
Ismaili shtoi se rotacioni politik është pjesë normale e demokracisë, por shqetësimi i tij lidhet me mënyrën se si po qeveriset vendi.
“Nuk është problem që një person fiton garë demokratike. Rotacioni politik është normal, vjen njëri e shkon tjetri. Problemi është çka po bën ky dhe a ka ndryshime”, u shpreh Ismaili në Debat Plus në RTV Dukagjini.