Negociatori kryesor i Iranit dhe kryetari i Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, i tha shefit të ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, gjatë bisedimeve në Teheran të shtunën se Shtetet e Bashkuara nuk janë një palë e ndershme në negociatat për përfundimin e luftës dhe se Irani nuk do të bëjë kompromis për të drejtat e tij kombëtare, raportoi televizioni shtetëror iranian.
Një nismë rajonale ndërmjetësimi, e udhëhequr nga Pakistani, synon të ngushtojë dallimet mes Iranit dhe SHBA-së pas javësh lufte që kanë lënë të mbyllur për shumicën e transportit detar ngushticën strategjike të Hormuzit, pavarësisht armëpushimit të brishtë, duke tronditur tregjet globale të energjisë, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se Munir u takua gjithashtu me presidentin iranian Masoud Pezeshkian në praninë e ministrit të Jashtëm, Abbas Araqchi, me të cilin zhvilloi dy takime para largimit nga Teherani.
Sipas raportimeve, bisedimet u përqendruan në një dokument me 14 pika të propozuar nga Irani, të cilin Teherani e konsideron si bazën kryesore të diskutimeve, si dhe në mesazhet e shkëmbyera mes palëve.
Qalibaf tha se Irani do të vazhdojë të mbrojë “të drejtat legjitime”, si në fushën e betejës ashtu edhe përmes diplomacisë, por shtoi se nuk mund t’i besojë “një pale që nuk ka aspak ndershmëri”, një akuzë që Irani e ka bërë disa herë ndaj SHBA-së.
Ai deklaroi gjithashtu se forcat e armatosura iraniane kanë rindërtuar kapacitetet e tyre gjatë armëpushimit dhe paralajmëroi se, nëse SHBA “e rifillon luftën në mënyrë të pamatur”, pasojat do të jenë “më të forta dhe më të hidhura” sesa në fillim të konfliktit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të premten se SHBA-ja ka parë disa përparime drejt një marrëveshjeje, por se ende nevojitet më shumë punë, ndërsa Ministria e Jashtme e Iranit tha se dallimet mes palëve vazhdojnë të mbeten.