Ish-Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani, ka shprehur shqetësim serioz lidhur me publikimet që aludojnë për një lidhje të mundshme të një zëvendëskryeministri me shërbimet e inteligjencës serbe. Sipas tij, nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, ato përbëjnë një çështje me ndjeshmëri të lartë për sigurinë dhe funksionimin institucional të një vendi anëtar të NATO-s.
Osmani thekson se një situatë e tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta mbi besueshmërinë dhe integritetin e institucioneve shtetërore, duke ngritur dyshime mbi rrjedhjen e informacionit drejt një vendi jashtë aleancës euroatlantike.
“Informacioni publik që pretendon se një Zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve të inteligjencës serbe ngre shqetësime serioze për një shtet anëtar të NATO-s. Nëse është e vërtetë, kjo do të thotë që informacioni dhe proceset e brendshme nga një qeveri e NATO-s mund të jenë eksportuar në një vend jo-anëtar të NATO-s, i lidhur ngushtë me Rusinë. Kjo është një çështje sigurie kombëtare, integriteti institucional dhe besimi brenda aleancës euroatlantike. Akuzat kërkojnë sqarime urgjente, transparente dhe profesionale nga autoritetet kompetente”, shkruan Osmani./EN