“Jo çdo patriot duhet të merret me politikë, por çdo politikan duhet të jetë patriot”, kështu u shpreh kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Riza Krasniqi, teksa foli për gjendjen politike në vend dhe arsyet që e shtynë të përfshihet në politikë.
Krasniqi tha se pas luftës kishte zgjedhur t’i përkushtohej familjes, duke besuar se politikanët do ta udhëhiqnin Kosovën drejt zhvillimit dhe mirëqenies. Megjithatë, sipas tij, zhgënjimi me klasën politike ndër vite e shtyu të marrë vetë përgjegjësi politike.
“Pakënaqësia me politikanët e pasluftës, sidomos në vitet e fundit, më detyroi të hyj në politikë. Kam menduar se ka njerëz më të mirë se unë që do të sjellin sukses për vendin, por realiteti doli ndryshe”, deklaroi ai.
Ai kritikoi gjuhën e urrejtjes dhe përçarjet në skenën politike, duke thënë se interesat personale po vendosen para interesit shtetëror.
“Po dominon urrejtja dhe politikanët më shumë po e urrejnë njëri-tjetrin sesa po e duan Kosovën. Secili po mendon për vete, ndërsa interesi për shtetin po mbetet anash”, tha Krasniqi.
Sipas tij, politika duhet të udhëhiqet nga patriotizmi dhe përgjegjësia ndaj vendit, e jo nga rivalitetet personale dhe interesat individuale.