Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Gjatë vizitës, Kurti ka uruar Myftiun Tërnava dhe besimtarët myslimanë, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite të shenjtë.
“Vizitën e parë për festën e Kurban Bajramit, si çdo vit, e bëjmë te Bashkësia Islame e Kosovës, për t’ia uruar Myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij këtë festë të sakrificës, e cila na e përkujton dhe vazhdimisht na mëson se edhe sakrifica është festë, sepse ne i gëzojmë të mirat dhe frytet e atyre që kanë sakrifikuar para nesh dhe kanë mundësuar që ne të kemi liri e prosperitet, para së gjithash dëshmorët e kombit, ku asnjëherë nuk e harrojmë se aty janë edhe 37 imamë dhe hoxhallarë nga lufta çlirimtare, siç ishte UÇK-ja, e deri tek ajo që bëjmë sot si institucione të shtetit, si Bashkësi Islame dhe si shoqata bamirëse, që qytetarëve të Republikës t’u dalim në ndihmë për çdo nevojë që kanë.
Meqenëse Kurban Bajrami është festë e cila na obligon të ndihmojmë njëri-tjetrin, të përkujdesemi për njëri-tjetrin, të tregojmë solidaritet, bujari e dashamirësi për të mirën e përgjithshme, duke mos lënë asnjë njeri mbrapa. Edhe një herë urime Kurban Bajrami, me fat e hajr, siç themi në mënyrë popullore, për të gjithë qytetarët”, tha Kurti. /eo