Në ditën e parë të fushatës për zgjedhjet e 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje për mbështetje financiare nga qytetarët.
Përmes një postimi në Facebook, partia në pushtet ka kërkuar donacione për të mbuluar aktivitetet e fushatës, përfshirë organizimin e tubimeve dhe mbështetjen e vullnetarëve.
Në postim, VV ka sqaruar edhe mënyrat e dhurimit, duke theksuar se qytetarët mund të kontribuojnë përmes kartelës bankare ose transferit bankar, sipas udhëzimeve në faqen zyrtare të partisë.
“Të dashur mbështetës, miq e aktivistë, Lëvizja, si çdo herë, ka nevojë për ndihmën tuaj. Për të mbështetur aktivitetet e vullnetarëve, organizimin e tubimeve dhe mbrojtjen e votës, secili donacion sado i vogël ndihmon jashtëzakonisht shumë. Rregullat e dhurimit mund t’i lexoni në faqen tonë zyrtare. Ndërsa, brenda pak minutash, mund të kontribuoni lehtësisht me kartelë bankare ose përmes bankës”, thuhet në njoftimin e VV-së.