Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për unitet politik dhe qytetar, duke deklaruar se Kosova gjendet në një moment të rëndësishëm për të ardhmen e saj dhe se sfidat aktuale kërkojnë bashkim rreth vlerave themelore të shtetit.
Në një tubim zgjedhor në Pejë, Osmani tha se gjatë pesë viteve të fundit ka mbrojtur interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ka promovuar vizionin rugovist në çdo forum ku është përfaqësuar vendi.
“Ballëhapur sepse gjatë këtyre pesë viteve që shkuan, kemi mbrojtur interesin e Republikës në çdo takim ndërkombëtar, në çdo forum, e mbi të gjitha përballë armiqve të Kosovës. Nuk ka cep të botës ku nuk është dëgjuar e vërteta e Republikës sonë, e vërteta e popullit tonë dhe sakrifica e tokës sonë”, deklaroi ajo.
Sipas Osmanit, Peja historikisht ka qenë ndër qytetet që kanë udhëhequr proceset e rëndësishme në vend, ndërsa theksoi se Kosova nuk mund t’i lejojë vetes përçarjet në një kohë kur shtetet dhe kombet po bashkëpunojnë për t’u përballur me sfidat globale.
“Kosova sot ndodhet në një moment vendimtar dhe Peja më mirë se çdokush tjetër ka ditur gjithmonë t’i prijë ndryshimeve historike në këtë vend. Në një kohë kur kombet po bashkohen për të përballur sfidat, ne nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin e përçarjes. Prandaj edhe jemi bashkuar”, tha Osmani.
Ajo sqaroi se bashkimi për të cilin flet nuk është rreth individëve apo partive politike, por rreth vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
“Jo bashkim rreth një individi, jo bashkim thjesht rreth një partie, por bashkim rreth tre themeleve të shtetit tonë: liri, pavarësi dhe demokraci”, u shpreh ajo.
Osmani kritikoi gjithashtu kundërshtarët politikë, duke i akuzuar se po shmangin debatin publik dhe po e zëvendësojnë atë me propagandë dhe sulme personale.
“Disa përpiqen që ta zëvendësojnë debatin me shpifje. E dini pse? Sepse frikësohen të dalin përballë dhe të bëjnë debat para popullit të Republikës së Kosovës. Prandaj përpiqen të zëvendësojnë argumentin me fyerje dhe vizionin me propagandë”, deklaroi ajo.
Në fund, Osmani tha se përgjigjja e saj dhe e mbështetësve të saj do të jetë debati demokratik dhe respekti ndaj mendimit ndryshe.
“Në vend të urrejtjes, ne do të bëjmë debat të respektit. Në studio, në sheshe, në mes të popullit”, përfundoi ajo.