Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se të dielën vendi do të përfshihet nga mot kryesisht i vranët, me intervale të herëpashershme me diell.
Sipas parashikimit, vranësirat në disa zona mund të sjellin reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6 dhe 9 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 24 deri në 27 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi prej 1 deri në 11 metra në sekondë.
IHMK-ja ka bërë të ditur se indeksi UV gjatë intervaleve me diell do të jetë i lartë. Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e zgjatur në rrezet e diellit gjatë orëve të mesditës, veçanërisht nga ora 10:00 deri në 16:00.