Gurakuç Kuçi, bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Octopus ka vlerësuar se ngjarjet e 29 majit 2023 në Zveçan përbëjnë një testim të drejtpërdrejtë të NATO-s nga Serbia, shumë kohë përpara se Rusia të intensifikonte përdorimin e dronëve dhe provokimet ajrore ndaj krahut lindor të Aleancës. Sipas tij, sulmi ndaj ushtarëve të KFOR-it nuk ishte protestë spontane, por pjesë e një operacioni të organizuar dhe të dirigjuar nga strukturat e Beogradit.
Në analizën e tij, Kuçi e përshkruan Zveçanin si një “dron njerëzor” të Serbisë kundër KFOR-it, duke argumentuar se turmat e dhunshme të përfshira në incident ishin pjesë e një taktike të luftës asimetrike. Ai kujton se nga përplasjet e asaj dite mbetën të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërsa disa prej tyre pësuan lëndime të rënda.
Kuçi lidh drejtpërdrejt ngjarjet e Zveçanit me sulmin terrorist në Banjskë të shtatorit 2023, duke i cilësuar ato si dy faza të të njëjtit skenar destabilizues. Sipas tij, në Zveçan u testua dhuna përmes turmave të dirigjuara, ndërsa në Banjskë u shfaq faza e armatosur me logjistikë, armë të rënda dhe struktura të organizuara terroriste.
Ai thekson se sfida kryesore për bashkësinë ndërkombëtare mbetet mungesa e llogaridhënies së Beogradit për ngjarjet në veri të Kosovës, duke kërkuar që NATO dhe Bashkimi Evropian të shtojnë presionin diplomatik dhe ligjor ndaj faktorëve që, sipas tij, vazhdojnë të nxisin destabilizimin e rajonit.
Teksti i plotë i Kuçit:
Ndërsa hapësira ajrore e krahut lindor të NATO-s po testohet dhe cenohet nga fluturimet agresive dhe goditëse të dronëve rusë, në frontin e Ballkanit Perëndimor, aleati i Moskës, Serbia, para tri viteve kishte ekzekutuar një sulm të koordinuar fizik mbi trupat e Aleancës në tokë.
Zveçani, një “dron njerëzor” i Serbisë kundër KFOR-it
Me 29 maj 2023 në veriun e Kosovës, Beogradi nuk përdori teknologji fluturuese, por aplikoi të njëjtën taktikë të luftës asimetrike lëshimin e një “droni njerëzor”, një turmë e mirëpërgatitur, e armatosur dhe e komanduar në distancë nga inteligjenca serbe (BIA) dhe rrjeti i Milan Radoiçiq-it.
Ajo që regjimi i Aleksandar Vuçiq-it tentoi ta kamuflojë si “protestë qytetare” në Zveçan, ishte në fakt faza e parë e një operacioni ushtarak-shkatërrues. Rezultati i këtij aksioni ishte 30 ushtarë të KFOR-it të plagosur ku të paktën dy prej tyre pësuan amputime të gjymtyrëve nga lëndimet.
Zveçani ishte projektuar për të krijuar kaosin e nevojshëm taktik që do të bënte të pashmangshëm pushtimin e veriut. Ai ishte paralajmërimi i saktë i asaj që u ekzekutua katër muaj më vonë, më 24 shtator 2023, në sulmin terrorist në Banjskë.
Dështimi i skenarit “Krime” në Banjskë dhe ekspozimi i Beogradit
Megjithatë, pikërisht dështimi në Banjskë nxori zbuluar gjithë strategjinë e Serbisë. Refuzimi i prerë i qytetarëve lokalë serbë për tu bërë mish për top dhe për t’iu bashkuar celulave terroriste dëshmoi një të vërtetë të madhe se në veri të Kosovës nuk ka pasur dhe nuk ka pakënaqësi organike ndaj rendit kushtetues të Republikës. Ajo që ekzistonte ishte një regjim frike, terrori dhe shantazhi i ushtruar nga strukturat kriminale të mbrojtura nga Beogradi zyrtar.
Lidhja shkak-pasojë sot është e pamohueshme se Zveçani dhe Banjska janë dy akte të të njëjtit skenar. Në Zveçan u testua dhuna asimetrike përmes turmave të dirigjuara si dronë politikë dhe në Banjskë u shfaq faza finale e dhunës me armë të rënda, uniforma, logjistikë shtetërore dhe strukturë të mirëfilltë terroriste.
Tri vite pas Zveçanit dhe pas dështimit të skenarit të Banjskës, pyetja që shtrohet sot para komunitetit ndërkombëtar nuk është nëse Beogradi ka hequr dorë nga destabilizimi i Kosovës dhe rajonit, por cilat janë tentativat e radhës dhe në çfarë forme. Historia e sigurisë në Ballkan dëshmon një rregull të prerë se paqëtimi i një agresori nuk prodhon stabilitet, por thjesht kohë që ai të riarmatoset dhe të ndryshojë taktikat.
Në rrafshin gjeopolitik, kjo përpjekje për të krijuar një “Krime të dytë” në veri dështoi, fillimisht falë maturisë së institucioneve të sigurisë së Kosovës, KFOR-it dhe rezistencës së vetë qytetarëve serbë lokalë për t’u bërë pjesë e skenarëve terroristë. Megjithatë, sfida kryesore për diplomacinë euro-atlantike mbetet mungesa e llogaridhënies nga ana e Beogradit. Fakti që Milan Radoiçiq dhe strukturat e tij sot lëvizin të lirë në Serbi, të mbrojtur dhe të financuar nga tenderët publikë, tregon se Beogradi ende beson se kostoja politike e destabilizimit është e menaxhueshme.
Prandaj, ky përvjetor nuk duhet të shërbejë vetëm si një kujtesë historike, por si një moment reflektimi për aleancën tonë me Perëndimin. Për të garantuar që arkitektura e sigurisë në Ballkanin Perëndimor të mbetet e palëkundur, është e domosdoshme që Bashkimi Evropian dhe NATO të rrisin presionin diplomatik dhe ligjor mbi faktorët e vërtetë të destabilizimit, duke mos lejuar që Beogradi të përdorë tensionet e kontrolluara si mjete shantazhi gjeopolitik.
Nëse strategjia e akomodimit ndaj Beogradit nuk ndryshon urgjentisht, pyetja nuk është nëse do të kemi një krizë të re hibride, por se ku dhe nën çfarë forme do të shfaqet droni i radhës politik i Serbisë.