Policia e Kosovës ka realizuar një plan taktik të koduar ‘KONTROLLI’, me ç’rast janë ndaluar dy vetura të dyshuara për transportim të substancave narkotike.
Sipas njoftimit, në Pikën e kalimit kufitar- Vërmicë janë identifikuar dy automjete të dyshuara me targa serbe, njëra nga të cilat më pas është ndaluar në Zveçan, ndërsa tjetra në Jarinjë.
Gjatë kontrollit të detajuar të automjetit të ndaluar në Zveçan janë zbuluar hapësira të modifikuara për fshehjen e narkotikëve, ku janë gjetur rreth 25.984 kg substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, ndërsa vetura e ndaluar në Jarinjë dyshohet se ishte në rolin e përcjellësit për sigurim të rrugës.
Lidhur me rastin, me qëllim të kryerjes së procedurave përkatëse në vendngjarje, ka dalë Njësia e Forenzikës, ndërsa tre personat e dyshuar të përfshirë në rast (nga të cilët njëri shtetas i Serbisë dhe dy shtetas të Malit të Zi) janë arrestuar.
Lidhur me rastin të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.