Lama: Kosova nuk ka si të jetë larg agjendës së integrimit për Ballkanin Perëndimor

Ish-ambasadorja Alma Lama ka vlerësuar se Kosova mbetet pjesë e agjendës së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ndonëse procesi i integrimit të saj po përballet me sfida politike që nuk i kanë disa nga vendet e tjera të rajonit.

“Kosova nuk ka sesi të jetë larg. Kosova është pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe pjesë e agjendës së integrimit. Problemi është se në cilin vend ndodhet Kosova në raport me shtetet e tjera të rajonit. Mali i Zi është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ka hapur dhe po mbyll kapitujt negociues. Edhe Shqipëria po avancon, megjithëse ka kushte që lidhen me drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit”, ka deklaruar Lama.

Sipas saj, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina vazhdojnë të mbeten prapa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për shkak të problemeve politike, ndërsa për Kosovën sfidë shtesë mbetet mosnjohja nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

“Çështja është se Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, për shkak të problemeve politike, nuk janë në të njëjtin nivel me vendet e tjera. Kosova e ka bërë kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ende nuk ka marrë ftesë, pasi nuk ka dakordim mes shteteve anëtare. Pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën”, tha ajo.

Megjithatë, Lama theksoi se perspektiva evropiane e Kosovës nuk është vënë në pikëpyetje nga Bashkimi Evropian.

“Kosova duhet t’i plotësojë standardet e kërkuara, por askush deri më tani nuk ka thënë se Kosova nuk ka perspektivë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Çështja është kur dhe si do të ndodhë ky proces, si dhe kur do të ketë lëvizje nga shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, u shpreh ajo.

Duke komentuar vizitën e presidentit të Këshillit Evropian në Ballkanin Perëndimor, Lama tha se ajo është pjesë e përgatitjeve për samitin që do të mbahet në Mal të Zi dhe ku do të marrin pjesë përfaqësues të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të rajonit.

Ajo shtoi se ky samit paraqet një mundësi të mirë për Kosovën që të paraqesë kërkesat e saj dhe të zhvillojë takime me përfaqësuesit e vendeve anëtare të BE-së.

“Është një mundësi e rëndësishme për Kosovën që të kërkojë mbështetje për procesin e integrimit, të shtrojë çështjen e njohjeve nga pesë vendet mosnjohëse dhe të zhvillojë takime bilaterale me shtetet pjesëmarrëse. Këto samite krijojnë hapësira të mira për diplomaci dhe për avancimin e interesave të vendit”, përfundoi Lama.

Ndryshe, Nga sot, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do të nisë një tur diplomatik në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në ditën e parë të vizitës së tij, ai do të ndalet në Sarajevë, ku do të takohet me liderë institucionalë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Kurse, më 2 qershor, ai do të jetë në Tiranë për takime me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar dhe me studentët e Kampusit të Tiranës të Kolegjit të Evropës. Po atë ditë, Costa do të udhëtojë drejt Shkupit.

Ndërsa, më 3 qershor, presidenti i Këshillit Evropian do të vizitojë Prishtinën, ku do të zhvillojë takime me liderë institucionalë dhe me drejtues të partive politike.

Më pas, ai do të vizitojë Serbinë dhe Malin e Zi, me ç’rast më 5 qershor, Costa do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tivat.

Tema qendrore e këtij samite do të jetë “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor”.

Presidenti i Këshillit Evropian sot nis turin në vendet e rajonit, pasnesër viziton Kosovën

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Të fundit nga rubrika