Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Nderim Mustafa, ka deklaruar se skemat sociale janë të nevojshme për një pjesë të shoqërisë, por sipas tij ato nuk përbëjnë zgjidhje afatgjate për qytetarët e Kosovës.
Mustafa, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se për PDK-në prioritet do të jetë fuqizimi ekonomik i qytetarëve përmes rritjes së pagave dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.
“Skemat sociale janë të mirëseardhura për një pjesë të mirë të shoqërisë, por nuk janë zgjidhje afatgjate për qytetarët e Kosovës. PDK-ja dhe Bedri Hamza si kandidat për kryeministër e kanë dëshmuar edhe më herët përkushtimin ndaj mirëqenies së qytetarëve. Në programin tonë kemi paraparë rritjen e pagave, por edhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve”, u shpreh ai.
Duke folur për fushatën zgjedhore, Mustafa kritikoi atë që e quajti përdorim të narrativave populiste për përfitime elektorale, duke vlerësuar se ato nuk ofrojnë zgjidhje reale për problemet e qytetarëve.
“Unë mendoj se narrativat populiste nuk sjellin asnjë zgjidhje. Ato mund të prodhojnë një duartrokitje të momentit, por në thelb janë abuzim me besimin e qytetarëve, pasi zakonisht shfaqen vetëm gjatë fushatave zgjedhore”, deklaroi ai.
Sipas Mustafës, PDK-ja synon të jetë më afër qytetarëve dhe të ofrojë politika konkrete për zhvillimin ekonomik të vendit, në vend të premtimeve afatshkurtra.
Ai bëri të ditur se kishte pasur oferta për angazhim politik edhe nga parti të tjera, por kishte zgjedhur PDK-në për shkak të rolit të saj në proceset shtetformuese dhe zhvillimin e Kosovës.
“Kisha oferta nga shumë parti politike për ta dhënë kontributin tim si afarist në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Kam zgjedhur PDK-në sepse e dimë si është çliruar vendi, si është ndërtuar shteti dhe institucionet tona, por edhe si mund të ecim përpara me zhvillim ekonomik”, tha Mustafa.