Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Prishtinë Presidentin e Këshilli Evropian, António Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit BE–Ballkani Perëndimor që mbahet në Tivat.
Gjatë takimit, Kurti ka falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e Kosovës, duke e cilësuar BE-në si donatorin më të madh në ndërtimin e shtetit dhe institucioneve të vendit.
“Kryeministri në detyrë Kurti e falënderoi Presidentin Costa për kontributin e Bashkimit Evropian si donatori më i madh në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës, mbështetje të cilën Kosova e ka kthyer në kultivimin dhe promovimin e vlerave të BE-së si dhe në forcimin e institucioneve.
Kryeministri në detyrë theksoi se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon. Ai vlerësoi se Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor zhvillimor i Kosovës.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat.
Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal.
Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.
Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit Costa në Prishtinë, pas asaj që realizoi në maj të vitit të kaluar.
Me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik, Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave”, thuhet në njoftim.