Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e së premtes në aksin rrugor Kardhiq–Delvinë, në zonën e njohur si Fushë Vërri, në Delvinë.
Sipas informacioneve të para, në aksident janë përfshirë dy automjete që janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes, një automjet me targa AA 246 RC ka dalë nga rruga dhe është përmbysur, ndërsa automjeti tjetër, një Audi me targa AB 558 XR, ka pësuar dëmtime të konsiderueshme.
Nga aksidenti ka humbur jetën një person, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar menjëherë njësitë e Policisë, ekipet e emergjencës mjekësore dhe zjarrfikësit. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.