Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se Kosova duhet të tregojë përmes veprimeve konkrete se është e gatshme për avancimin e aspiratave të saj euroatlantike dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
Në një intervistë, diplomati britanik theksoi se Londra mbështet fuqishëm synimet e Kosovës për t’u afruar me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare, por nënvizoi se progresi drejt këtyre objektivave nuk është i garantuar.
Sipas tij, për të fituar besimin e aleatëve, Kosova duhet të dëshmojë funksionim demokratik përmes zgjedhjeve të lira dhe gjithëpërfshirëse, të ketë institucione funksionale dhe një qeveri të aftë për kompromis politik, si dhe të sigurojë trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet që jetojnë në vend.
Hargreaves vlerësoi se në kushtet e sfidave aktuale globale, partnerët ndërkombëtarë po kërkojnë shtete që janë të afta të marrin vendime dhe të veprojnë me efikasitet. Ai tha se Kosova ka potencial të jetë një aleat i besueshëm, por duhet të dëshmojë aftësi për të ecur përpara dhe për të adresuar sfidat e brendshme politike.
Ambasadori britanik ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës, por paralajmëroi se ngërçi aktual politik mund të dëmtojë besueshmërinë ndërkombëtare të vendit dhe të krijojë hapësirë për aktorë që synojnë të minojnë stabilitetin e saj.
Ai shtoi se Kosova ka ndërtuar një histori të rëndësishme demokratike dhe se partnerët e saj ndërkombëtarë kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi, por theksoi se ruajtja e stabilitetit politik dhe forcimi i institucioneve mbeten kyçe për avancimin e pozitës së vendit në arenën ndërkombëtare.