Gazetari dhe analisti politik Bekim Kabashi ka vlerësuar se rezultati zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje lidhet drejtpërdrejt me figurën e kryeministrit Albin Kurti, i cili sipas tij mbetet faktori kryesor i performancës së partisë në zgjedhje.
Sipas rezultateve preliminare VV-ja ka marrë 42,95% apo 299,328 vota, duke mos përfshirë votat me postë, nëpër konsullata dhe ato me kusht.
Në Debat Plus, Kabashi tha se, pavarësisht rezultatit të përgjithshëm të mirë të LVV-së, disa figura të rëndësishme të saj nuk kanë arritur performancë të lartë me vota, duke e lidhur këtë me pakënaqësinë e elektoratit ndaj tyre.
Sipas tij, një pjesë e dështimeve të perceptuara në qeverisje i janë faturuar individëve të caktuar brenda partisë, çka ka ndikuar në votën e qytetarëve.
“Të LVV mendoj që performanca kryesore pse merr këtë rezultat, padiskutim e ka Albin Kurti.
Dhe mandej pse disa figura të rëndësishme të LVV, nuk kanë performuar mirë me vota. Është sepse krejt dështimet që i ka pas LVV në qeverisje pjesën dërrmuese iu kanë faturuar figurave të caktuara në VV. Dhe elektorati është mërzit me këta emra dhe ka tentuar me zgjedh emra të ri brenda VV-së. Po shohim që emra të ri kanë marrë performancë të mira edhe që nuk janë shumë konfliktuoz. Ky polarizimi, ka nis shoqëria e Kosovës me u lodh me polarizime.
Madje edhe vetë strategjia e VV-së ka qenë prej zgjedhjeve të 28 dhjetorit antipolarizuese, e ka ndryshuar si me shkop magjik. Dhe këtu janë ndëshkuar si Fitore Pacolli, Fatos Geci dhe emra të tjerë të LVV-së. Dhe që kanë pas që kanë pas situata problematike si ministrja Rozeta Hajdari, Fitore Pacolli me dyshimet që kanë ngrit mediat për favorizim të familjarëve. Performanca në ministri e Arbërie Nagavcit ka lënë për të dëshiruar”, ka thënë Kabashi.