Tasholli thotë se ka ndryshuar paradigma: Nga “përçaj dhe sundo” te “huto dhe sundo”

Në konferencën ndërkombëtare “Urat e Kujtesës”, të organizuar nga iniciativa “Liria ka Emër” dhe instituti KIPRED, studiuesi i filozofisë dhe drejtori i “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, ka folur mbi transformimet e pushtetit në shoqëritë bashkëkohore, duke e vendosur në qendër konceptin e vëmendjes si burimi kryesor i kontrollit shoqëror.

Duke iu drejtuar një audience të gjerë me ish-ministra, ambasadorë, akademikë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Tasholli theksoi se bota po kalon një fazë të re historike, ku parimet klasike të politikës po transformohen nga zhvillimet teknologjike dhe mbingarkesa informative.

Sipas tij, nëse dikur politika e pushtetit përmblidhej në formulën “përçaj dhe sundo”, sot realiteti modern ka prodhuar një paradigmë të re: “huto dhe sundo”.

“Si duket po jetojmë në ni kohë ku disa prej parimeve themelore që e kanë shpjegu dhe përtheku botën për shekuj të tanë po ndryshojnë. Nëse dikur Machiavelli ia mësonte politikës se mënyra ma efektive për me e mirëmbajtë pushtetin ishte “përçaj dhe sundo”, sot (me teknologjinë) duket se po përballemi me ni formulë tjetër, “huto dhe sundo”.

Nëse dikur Francis Bacon e shënjonte modernitetin kur thoshte se “dija asht pushtet”, sot gjithnjë e ma shumë po shohim se vëmendja asht pushtet. Në kohën e Machiavellit, sundimtari duhej me i nda njerëzit në grupe kundërshtare. Konflikti mes tyne e bante ma të lehtë kontrollin e tyne. Sot nuk asht e domosdoshme që njerëzit me qenë veç të përçamë. Mjafton me qenë të hutum që pushteti me i mirëmbajt agjendat “private”. Mjafton mos me qenë të sigurt se çka janë faktet, të vërtetat e çka asht e rreme. Mjafton me u përmbyt prej ni lumi të pafund informacioni, ku faktet, opinionet, propaganda dhe spektakli përzihen në ni rrjedhë të vetme. Në këtë realitet të ri, qytetari nuk kontrollohet tu ia ndalu informacionin, por tu ia dhanë aq shumë informacion sa me e humb aftësinë për me dallu atë që ka randësi. Atë që e thoshte Heideggeri, kalimi i shoqnive prej interesit te interesantja. Nuk jetojmë ma në epokën e censurës klasike. Jetojmë në epokën e mbingarkesës, overdozës informative. Rreziku nuk asht ma mungesa e informacionit, por teprica e tij”, ka thënë Tasholli.

Në fund të fjalimit të tij, Tasholli bëri thirrje për më shumë dialog dhe pluralitet mendimesh.

“Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me ndryshimin e dytë të madh. Bacon besonte se dija prodhonte pushtet. Dhe kishte të drejtë për kohën e tij. Por sot informacioni gjendet kudo. Në telefonin që e mbajmë në xhep kemi ma shumë informacion sesa kishin bibliotekat ma të mëdha të botës para disa shekujsh. Megjithatë, nuk duket se jemi ba shumë ma të mençëm. Prandaj pushteti nuk qëndron ma veç te zotërimi i dijes. Pushteti qëndron te aftësia për me e kapë dhe kontrollu vëmendjen. Kush e kontrollon vëmendjen tonë, e kontrollon mënyrën se si mendojmë, çka ndiejmë, për çka zemërohemi dhe për çka heshtim. E kontrollon qenësimin tonë. Në epokën ku të vërtetat janë ba të mërzitshme, kemi shumë nevojë për laryshi perspektivash që me iu ikë dogmave, atyne terreneve ku përfundon tjetri. Kemi nevojë për dialog. Apo siç e përdorim na këtu idiomën: “me ndrru naj llaf”. Por mrena disa parimeve që ende ju besojmë se shënjojnë humanen”, ka shtuar Tasholli.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika