SHBA-ja dhe Irani shkëmbejnë sulme për të dytën ditë radhazi

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer sulme ushtarake në Lindjen e Mesme për të dytën ditë radhazi, duke vënë nën presion armëpushimin e brishtë të arritur mes dy vendeve në prill.

Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se ka kryer një valë sulmesh “vetëmbrojtëse” kundër objektivave ushtarake, sistemeve të mbikëqyrjes dhe radarëve në jug të Iranit.

Sulmet erdhën disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se forcat amerikane do ta godasin Iranin “fuqishëm”, duke akuzuar Teheranin se ka vonuar arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit.

Në kundërpërgjigje, Irani ndërmori sulme ndaj objekteve ushtarake amerikane në vende të ndryshme të rajonit, raporton BBC.

Baza ushtarake amerikane në Bahrein dhe Kuvajt u vunë sërish nën zjarr, ndërsa Garda Revolucionare Islamike (IRGC) tha se ka lëshuar raketa balistike ndaj një qendre komanduese amerikane në Jordani.

Sipas mediave shtetërore iraniane, IRGC pretendon se ka goditur bazën ajrore Muwaffaq Salti në Jordani me 12 raketa balistike, duke shkaktuar dëme të mëdha. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Autoritetet në Bahrein njoftuan se sirenat e alarmit ajror janë aktivizuar gjatë natës, ndërsa ushtria e Kuvajtit tha se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar objektiva armiqësore. Kuvajti mbylli përkohësisht hapësirën e tij ajrore për shkak të sulmeve.

Ndërkohë, media shtetërore iraniane raportoi se Garda Revolucionare ka goditur edhe dy cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, megjithëse nuk ka pasur konfirmim të menjëhershëm për këtë pretendim.

Po ashtu, mediat iraniane raportuan se Ngushtica e Hormuzit është “mbyllur plotësisht për të gjitha llojet e anijeve”. Megjithatë, CENTCOM deklaroi se anijet tregtare po vazhdojnë të kalojnë nëpër këtë korridor strategjik detar.

Pas këtyre zhvillimeve, çmimet e naftës u rritën ndjeshëm. Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i referencës, u ngjit në rreth 95 dollarë për fuçi.

Trump deklaroi se SHBA-ja e kishte goditur Iranin rëndë një ditë më parë dhe se do të vazhdojë me sulme të tjera nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje.

“Kanë marrë shumë kohë për të negociuar një marrëveshje. Tani do të paguajnë çmimin,” shkroi ai në rrjetin Truth Social.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se Iranit i ishte dhënë mundësia për një marrëveshje, por nuk e kishte shfrytëzuar atë.

Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se Irani “do të qëndrojë i palëkundur përballë çdo presioni apo kërcënimi”, ndërsa Ministria e Jashtme iraniane akuzoi SHBA-në për minimin e procesit diplomatik.

Armëpushimi i arritur në prill ishte planifikuar fillimisht të zgjaste dy javë, por pavarësisht ndërprerjes së luftimeve në shkallë të gjerë, të dyja palët kanë vazhduar shkëmbime sporadike zjarri.

Përpjekjet e fundit për negociata mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë ngecur, ndërsa tensionet në rajon janë rritur sërish pas rrëzimit të një helikopteri amerikan, për të cilin SHBA-ja fajëson Iranin.

Shija e redaktorit

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” me shumë aktivitete për fëmijët më 1...

Prindër e fëmijë u bënë bashkë në një vend. Për 1 qershorin, Ditën Botërore të Fëmijëve, Shtëpia Botuese Dukagjini i mblodhi në sheshin “Zahir Pajaziti”...

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Të fundit nga rubrika