Tafaj & Co hap dyert për vizitorët në pemishten e qershive në Gelancë të Suharekës

Kompania Tafaj & Co ka njoftuar se ka hapur për vizitorët pemishten e saj të qershive në fshatin Gelancë të Suharekës, duke u ofruar qytetarëve mundësinë që të mbledhin vetë qershitë dhe të kalojnë kohë në natyrë me familjet e tyre.

Sipas njoftimit, të gjithë personat që dëshirojnë të vizitojnë pemishten duhet fillimisht të paraqiten në pikën e shitjes së Tafaj pranë rrugës kryesore.

Kompania ka bërë të ditur se tarifa e hyrjes është 2.50 euro për person, ndërsa çdo vizitor i rritur duhet të blejë minimumi 3 kilogramë qershi. Çmimi i qershive është përcaktuar në 5 euro për kilogram. Për fëmijët nuk është e detyrueshme blerja e minimumit prej 3 kilogramësh.

Vizitorëve u lejohet të mbledhin vetë qershitë, ndërsa aktiviteti synon të ofrojë një përvojë argëtuese dhe familjare.

Tafaj & Co ka apeluar për kujdes maksimal ndaj pemëve dhe frutave, duke kërkuar që të mos hidhen qershi në tokë, të mos dëmtohen pemishtet dhe të mos ngjiten në pemë pa lejen e stafit.

Për informata shtesë, të interesuarit mund të kontaktojnë në numrin +383 44 274 661.