Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë miratuar një paketë të re masash ndëshkuese kundër Rusisë, për shkak të agresionit të vazhdueshëm ndaj Ukrainës, aktiviteteve hibride dhe shkeljeve sistematike të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë të drejtat e njeriut.
Sipas njoftimit të BE-së, sanksionet e reja përfshijnë 34 individë dhe 47 entitete.
Masat synojnë, ndër të tjera, prodhues dhe furnizues të dronëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake për forcat e armatosura ruse, si dhe persona dhe kompani të përfshira në transportin dhe eksportin e naftës bruto dhe produkteve të naftës nga Rusia.
Po ashtu, 10 persona dhe një entitet janë futur në listën e sanksioneve për aktivitete keqdashëse kundër Bashkimit Evropian.
Në një vendim të veçantë, BE-ja ka vendosur sanksione edhe ndaj një entiteti dhe 15 individëve për përfshirjen e tyre në përndjekjen, helmimin dhe vdekjen e opozitarit rus, Alexei Navalny.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se masat e reja godasin në zemër kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë, “flotën në hije” dhe rrjetet që mbështesin sulmet hibride të Moskës ndaj Evropës.
“Çdo masë ia ngushton Rusisë hapësirën për veprim. Sanksionet perëndimore tashmë i kanë kushtuar Rusisë një humbje të vlerësuar nga 1 deri në 1.3 trilion euro”, deklaroi Kallas.
Ajo shtoi se puna po vazhdon edhe për paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë.