Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka bërë të ditur se presidenti Donald Trump mund ta publikojë marrëveshjen paraprake mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit edhe para ceremonisë zyrtare të nënshkrimit që pritet të mbahet të premten.
Vance e përshkroi memorandumin e mirëkuptimit (MOU) mes dy vendeve si një dokument “rreth një faqe e gjysmë” dhe me përmbajtje të përgjithshme, ndërsa theksoi se shumë detaje do të përcaktohen në fazën e negociatave teknike.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë amerikanë kanë zbuluar disa elemente të marrëveshjes, duke bërë të ditur se Ngushtica e Hormuzit pritet të rihapet të premten, në të njëjtën ditë kur dokumenti do të nënshkruhet zyrtarisht në Gjenevë.
Deklaratat vijnë teksa Trump po merr pjesë në samitin e G7 në Francë.
Gjatë një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, ai tha se “marrëveshja tashmë është nënshkruar”, duke iu referuar dokumentit paraprak, raporton BBC.
Sipas zyrtarëve amerikanë, memorandumi është nënshkruar në mënyrë elektronike nga Donald Trump, JD Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf.
Vance tha se pika kryesore e marrëveshjes është angazhimi i Iranit për paqe dhe stabilitet rajonal, përfshirë ndalimin e mbështetjes për grupet e armatosura, si dhe zotimi i verifikueshëm që Teherani të mos zhvillojë armë bërthamore.
Ai shtoi se çdo lehtësim i sanksioneve ose lirimi i aseteve iraniane do të varet nga respektimi i detyrimeve të marra nga Irani në kuadër të marrëveshjes.
Liderët e vendeve të G7 pritet të diskutojnë marrëveshjen me Trumpin, ndërsa Britania e Madhe dhe Franca kanë udhëhequr përpjekjet për garantimin e sigurisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.