Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Izraeli duhet të tregojë më shumë përgjegjësi ndaj Libanit, duke kritikuar sulmet e fundit izraelite në këtë vend.
Duke folur për gazetarët gjatë samitit të G7 në Francë, Trump tha se Izraeli dhe Hezbollahu po luftojnë prej kohësh dhe se konflikti po shkakton shumë viktima.
“Izraeli duhet të jetë më i përgjegjshëm ndaj Libanit. Nuk më pëlqeu ai sulm që u krye, ishte i tepruar”, tha Trump.
Megjithatë, ai theksoi se vazhdon të ketë një “marrëdhënie të shkëlqyer” me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Komentet e Trump vijnë pasi një sulm ajror izraelit në Bejrut gjatë fundjavës rrezikoi përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit në rajon. Në atë kohë, Trump kishte bërë thirrje për përmbajtje duke deklaruar: “Të mos e shkatërrojmë këtë mundësi”.
Presidenti amerikan shtoi gjithashtu se mbështetja e SHBA-së ka qenë vendimtare për Izraelin.
“Pa Shtetet e Bashkuara nuk do të kishte Izrael, sepse asnjë president tjetër nuk ishte i gatshëm të bënte atë që kam bërë unë”, u shpreh Trump, raporton BBC.