Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar në Samitin e G7 në Francë se Mbretëria e Bashkuar do të luajë “rolin e saj të plotë” për të siguruar rihapjen sa më të shpejtë të Ngushticës së Hormuzit.
Starmer tha se rihapja e kësaj rruge detare strategjike është “shumë, shumë e rëndësishme” për Britaninë e Madhe, pasi bllokimi i saj ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të energjisë.
“Ndikimi i rritjes së kostove të energjisë është ndjerë në çdo familje në vend”, u shpreh ai.
Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm që kur Irani reagoi ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite duke bllokuar praktikisht Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës dhe gazit.
Starmer gjithashtu përshëndeti marrëveshjen e arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke uruar presidentin amerikan Donald Trump dhe ndërmjetësuesit për përpjekjet që çuan drejt këtij dakordimi.