Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur të mërkurën takimin e parë të panelit vlerësues për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, tha se institucioni ka respektuar zotimin për një proces transparent që nga fillimi i procedurës së konkursit.
“Ashtu siç u kemi premtuar që në fillim të procesit, kur është shpallur konkursi, i gjithë procesi do të jetë transparent. Për këtë arsye edhe ju kemi ftuar në këtë takim, i cili është takimi i parë i panelit”, deklaroi Gashi.
Ai bëri të ditur se KPK-ja më 18 maj kishte marrë vendim për shpalljen e konkursit, ndërsa konkursi ishte hapur më 20 maj. Sipas tij, në të njëjtën datë është themeluar edhe paneli vlerësues dhe janë caktuar anëtarët zëvendësues.
Gashi njoftoi se në afatin e paraparë janë pranuar gjithsej pesë aplikime për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Kandidatët që kanë aplikuar janë: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi.
Procesi i vlerësimit dhe përzgjedhjes do të vazhdojë sipas procedurave të përcaktuara nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Gashi bëri të ditur se pjesa e takimit që lidhet me shqyrtimin e dosjeve të kandidatëve do të zhvillohet pa praninë e mediave dhe pa incizim.
Sipas tij, kjo bëhet për shkak të natyrës konfidenciale të dokumentacionit që do të shqyrtohet. Ai theksoi se të gjithë të pranishmit kanë nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit, duke u obliguar që të respektojnë privatësinë dhe integritetin e procesit të vlerësimit.