Janë fletëvotimet e fundit që sot po kalojnë në procesin e numërimit nga votat e ardhura përmes postës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se deri në mesditën e së mërkurës është përmbyllur numërimi i 223 kutive me vota që ishin në total nga diaspora.
Me përmbylljen e këtij procesi, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, që së bashku përbëjnë më shumë se 10 mijë fletëvotime.
Kur gjithçka finalizohet, KQZ hyn në fazën e verifikimit shtesë të rezultateve, ku do të çoj në rinumërim 250 vendvotime.
“Fjala është për 10 për qind të vendvotimeve të çdo komune, të cilat paraprakisht numërohen nga grupet e numërtimit, në qendrën e secilës komune përkatëse, Numri I përgjithshëm është 2498, dhe nëse mostra do të merret siç parashihet, i bie se në këtë proces të rinumërimit të përfshihen rreth 250 vendvotime”, ka deklaruar Elezi.
Vendvotimet që shkojnë në rinumërim, do të përzgjidhen në mënyrë të rastësishme.
“Varësisht gjetjeve, KQZ do të procedojë më tej. Qëllimi është për t’u siguruar se procesi I numërimit të votave për kandidatet per deputete është bërë më saktësi”.
Sipas organizatave që monitorojnë procesin zgjedhor, rregulloret e reja të KQZ-së, kanë krijuar më shumë mekanizma kontrolli për të identifikuar parregullsitë e mundshme.
Në PZAP janë dorëzuar shtatë ankesa nga partitë dhe kandidatët por sipas Institutit Demokratik të Kosovës në përgjithësi ka më pak parregullsi se zgjedhjet e kaluara.
“Shumica prej tyre janë refuzu nga PZAP si të pabazuara, prandaj në raport me zgjedhjet e dhjetorit dhe të shkurtit, dukshëm është numri më i vogël i parregullsive me rastin e numërimit të votave në QKN dhe QNR. Megjithatë numërimi deri në 10 për qind mund të jap rezultate të tjera”, ka theksuar Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur që të fitoj mbi 73 për qind të votave të ardhura me postë, e dyta renditet LDK me afro 12 për qind, e ndjekur nga PDK me mbi 8 për qind, ndërsa Aleanca ka siguruar 4.15 për qind.